Gjykata e Lartë ka caktuar datën 11 qershor për shqyrtimin e rekursit të ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje.
Sipas vendimit të gjykatës, çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari relator Genti Shala, i cili pritet të vlerësojë bazueshmërinë e kërkesës së paraqitur nga mbrojtja e Memollës.
Edison Memolla aktualisht ndodhet në burgun e Rrogozhinës, pasi është shpallur fajtor nga dy shkallë të gjyqësorit për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje. Pas vendimit të Apelit të Posaçëm më 9 shkurt, ai u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Hetimet ndaj tij kishin nisur pas publikimit të një audio-përgjimi, ku Memolla, në atë kohë kandidat për drejtimin e bashkisë, dyshohej se kishte ndërhyrë pranë një punonjësi të OSHEE-së për të mos ndërprerë energjinë elektrike të një qytetari debitor, veprim që u interpretua si ndikim i paligjshëm në funksione publike gjatë fushatës zgjedhore.
Pas arrestimit dhe dënimit të tij, drejtimi i Bashkisë së Rrogozhinës është marrë nga një kryetar i komanduar deri në përfundimin e procedurave ligjore.









