Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor i zhvilluar një ditë më parë në Korçë, ku dy efektivë policie u përfshinë në një aksident gjatë ndjekjes së një personi të dyshuar për blerje të lëndëve narkotike.
Sipas burimeve hetimore, shërbimet e Policisë së Shtetit kishin vëzhguar një person që dyshohej se kishte blerë drogë nga Vangjush Dushku, kamarier në një lokal në fshatin Lumalas.
Gjatë ndjekjes së automjetit të të dyshuarit, makina e policisë u përfshi në aksident, ku mbetën të lënduar dy efektivë, ndërsa njëri prej tyre u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia arriti të arrestojë personin që po ndiqej dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën doza të lëndëve narkotike, të cilat dyshohet se i kishte blerë në lokalin ku punonte Dushku.
Paralelisht me ndjekjen, forca të tjera policore ushtruan kontroll në ambientet e lokalit në Lumalas. Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan sasi të tjera droge, të gjetura si në trupin e kamarierit, ashtu edhe brenda ambienteve të biznesit.
Në përfundim të operacionit, Vangjush Dushku u arrestua, ndërsa pronari i lokalit është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ambienti përdorej për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjithë aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.









