Evropa po përballet me një rrezik në rritje për t’u kthyer në një treg të varur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Azisë në fushën e Inteligjenca Artificiale, sipas një raporti të ri të publikuar nga grupi financiar Allianz.
Në raport theksohet se ekonomia globale po transformohet me shpejtësi dhe po mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologji të avancuara, si qendrat e të dhënave, shërbimet cloud dhe infrastruktura digjitale. Në këtë garë, Evropa po mbetet dukshëm prapa SHBA-së dhe Azisë.
Sipas analizës, Azia dominon prodhimin dhe eksportin e pajisjeve të lidhura me AI, përfshirë çipet dhe komponentët elektronikë, ndërsa SHBA ka forcuar pozitat e saj përmes investimeve masive në infrastrukturë digjitale dhe shërbime teknologjike globale.
Në të kundërt, Evropa po përballet me ritme më të ngadalta zhvillimi dhe mbetet e varur nga kompanitë amerikane për shërbimet cloud, si dhe nga Azia për pajisjet dhe teknologjitë bazë të inteligjencës artificiale.
Raporti paralajmëron se kjo situatë po krijon një varësi të thellë teknologjike, duke e bërë kontinentin më të ekspozuar ndaj vendimeve të jashtme dhe më pak të pavarur në zhvillimin e sektorit digjital.
Ndër pengesat kryesore në Evropë përmenden mungesa e investimeve të mëdha dhe procedurat e ndërlikuara rregullatore, të cilat vonojnë ndërtimin e projekteve strategjike si qendrat e të dhënave, që shpesh kërkojnë vite për t’u realizuar.
Megjithatë, raporti nënvizon se Evropa nuk mbetet plotësisht jashtë garës, pasi ka avantazhe të rëndësishme si kapaciteti i lartë inxhinierik dhe kuadri rregullator i zhvilluar për teknologjinë. Vende si Franca dhe Suedia po synojnë të zhvillojnë sisteme më të pavarura për të reduktuar varësinë nga SHBA dhe gjigantët teknologjikë globalë.
Raporti përfundon se nëse Evropa nuk rrit ritmin e investimeve dhe inovacionit, hendeku me SHBA-në dhe Azinë do të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme.









