Tensione të forta dhe përplasje të brendshme po tronditin AC Milan, ndërsa mediat italiane kanë zbuluar një prapaskenë të bujshme mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe legjendës suedeze Zlatan Ibrahimović.
Sipas gazetares Monica Colombo të Corriere della Sera, përplasja mes Allegrit dhe Ibrahimovicit ka ndodhur në një restorant, në prani të drejtuesve të klubit, ku situata ka degraduar aq shumë sa është dashur ndërhyrja e Igli Tare dhe Giorgio Furlanit për t’i ndarë fizikisht.
Raportimet bëjnë me dije se tensionet mes dy figurave të rëndësishme të klubit nuk janë të reja, por kanë ekzistuar prej kohësh, ndërsa rezultatet pozitive të skuadrës kishin ndihmuar që konfliktet të mos dilnin në sipërfaqe.
Sipas Colombo-s, ambienti në klubin kuqezi është përçarë në grupe dhe mosmarrëveshjet e vjetra kanë shpërthyer sapo rezultatet sportive nisën të përkeqësoheshin.
Një tjetër element që ka shtuar dyshimet për krizën e brendshme është mungesa e gjatë e Ibrahimovicit në ambientet e ekipit. Sipas raportimeve, suedezi nuk ishte parë prej muajsh në dhomat e zhveshjes së stadiumit San Siro apo në qendrën stërvitore Milanello.
Burimet italiane pretendojnë se shkëndija e debatit lidhej fillimisht me një vendim teknik për portierin e tretë të skuadrës për sezonin e ardhshëm, por pas tij fshiheshin tensione shumë më të thella.
Në konflikt kanë ndikuar edhe raportimet për kontakte të Allegrit me Antonio Cassano, si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Ibrahimovicit me këshilla taktike për lojtarë si Youssouf Fofana dhe Rafael Leão, të cilat, sipas mediave italiane, binin ndesh me udhëzimet e trajnerit gjatë stërvitjeve.
Situata duket se ka sjellë një revolucion total në klubin kuqezi. Presidenti Gerry Cardinale ka vendosur të ndryshojë drejtimin sportiv dhe teknik të skuadrës pas dështimit për t’u kualifikuar në UEFA Champions League sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve, nga klubi janë larguar ose pritet të largohen Massimiliano Allegri, Igli Tare, Giorgio Furlani dhe Geoffrey Moncada, ndërsa Zlatan Ibrahimović pritet të ketë një rol kyç në rindërtimin e ri të skuadrës milaneze.









