“Lëvizje historike në Lindjen e Mesme”/ SHBA dhe Irani vijojnë bisedinet – Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet pas 30 ditësh pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje

SHBA dhe Irani po diskutojnë një plan të ri që parashikon rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit 30 ditë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes palëve, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Sipas gazetës financiare japoneze Nikkei, e cila citon një burim diplomatik nga Lindja e Mesme, marrëveshja në diskutim përfshin një afat kohor të përcaktuar për normalizimin e lëvizjes detare në një nga pikat më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës.

Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar më herët se Teherani ka pranuar “në parim” hapjen e ngushticës, e cila gjatë konfliktit ka qenë pjesërisht e bllokuar për trafikun tregtar, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet botërore. Në këmbim, Uashingtoni do të shqyrtonte lehtësimin e bllokadës ndaj porteve iraniane.

Paralelisht, palët po punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet teknike dhe diplomatike që lidhen me programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve ekonomike, çështje që kanë mbetur pengesë kryesore për finalizimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Burimet diplomatike bëjnë të ditur se është parashikuar një periudhë 60-ditore negociatash për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gjatë së cilës do të përcaktohen detajet e zbatimit të saj.

Ndërkohë, prania e një delegacioni iranian në Katar gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe anëtarë të lartë të ekipit negociator, është vlerësuar si një sinjal pozitiv për ecurinë e bisedimeve. Katari po luan rolin e ndërmjetësit në këto negociata delikate mes dy vendeve.

Situata mbetet ende e ndërlikuar, por diplomatë të përfshirë në proces shprehen optimistë se mosmarrëveshjet mund të tejkalohen në një afat relativisht të shkurtër, duke hapur rrugën për një marrëveshje që do të ndikonte drejtpërdrejt në stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.