Nuk mori urime nga partitë simotra – Berisha pas rizgjedhjes në krye të PD: Sepse nuk jam nga ata që dërgoj shumë urime

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar pas rizgjedhjes në krye të forcës më të madhe opozitare, duke e cilësuar procesin si “një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri”.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha komentoi edhe mungesën e urimeve publike nga partitë simotra ndërkombëtare, duke thënë se ka marrë mesazhe nga miqtë e tij politikë dhe se pret ende urime të tjera.

Ai shtoi me ironi se vetë nuk është ndër politikanët që dërgon shpesh urime publike, duke e konsideruar këtë një formë “reciprociteti”.

“E shtuna ishte një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri, demokraci që sot ka mbetur vetëm në opozitë. Kam mirënjohje të pafund për të gjithë demokratët që iu përgjigjën kësaj gare, pavarësisht propagandës agresive dhe sulmeve të vazhdueshme”, deklaroi Berisha.

Lideri demokrat akuzoi gjithashtu Edi Rama për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të dëmtuar opozitën, duke pretenduar se në proces janë përfshirë edhe ish-eksponentë të Partisë Demokratike që, sipas tij, synojnë të favorizojnë mazhorancën.

Berisha theksoi se vota e anëtarësisë përbën një dëshmi të forcës së demokracisë së brendshme në Parti Demokratike dhe e cilësoi procesin e “një anëtar, një votë” si modelin më demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve politikë.

Ai deklaroi se rizgjedhja e tij përfaqëson një mesazh të qartë kundër, sipas tij, “presionit politik dhe propagandës së qeverisë”, ndërsa u shpreh i bindur se opozita do të vijojë betejën politike kundër mazhorancës.