Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat me Iran nuk kanë përfunduar ende dhe se publikisht po qarkullojnë spekulime pa asnjë bazë për përmbajtjen e një marrëveshjeje të mundshme.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Trump theksoi se askush nuk i njeh detajet e bisedimeve dhe se procesi është ende në zhvillim. Sipas tij, çdo koment publik mbi përmbajtjen e marrëveshjes është i parakohshëm, pasi ajo ende nuk është finalizuar.
Ai u shpreh se çdo marrëveshje e mundshme e administratës së tij me Iranin do të jetë, siç tha ai, “krejt e kundërta” e marrëveshjes së arritur në kohën e ish-presidentit Barack Obama, të cilën e kritikoi ashpër duke e akuzuar se kishte forcuar pozitat e Teheranit.
“Nëse arrij një marrëveshje me Iranin, ajo do të jetë e drejtë dhe e fortë. Ndryshe nga marrëveshja e Obamës që i hapi rrugën Iranit dhe i dha mundësi për avancim”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan përsëriti se negociatat janë ende në vazhdim dhe se asnjë vendim final nuk është marrë. Ai shtoi se shumë nga kritikat që po bëhen ndaj procesit janë, sipas tij, të pabazuara dhe vijnë nga persona që nuk kanë informacion të plotë.
“Askush nuk e ka parë marrëveshjen dhe askush nuk e di çfarë përmban ajo. Procesi nuk ka përfunduar”, deklaroi Trump.
Në fund të reagimit të tij, Trump sulmoi edhe kundërshtarët politikë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i marrin seriozisht, siç u shpreh ai, “dështakët që kritikojnë pa ditur asgjë”.
Ai theksoi se administratat e mëparshme, sipas tij, nuk arritën të zgjidhnin çështjen e Iranit, ndërsa premtoi se qasja e tij do të jetë më e ashpër dhe më efektive.









