Një nismë e ndërmarrë nga bizneset turistike në Dhërmi po tërheq vëmendjen këtë sezon veror, pasi disa subjekte kanë nisur të ofrojnë çadra dhe shezlongë falas për pushuesit që konsumojnë në ambientet e tyre.
Oferta “konsumo një pije dhe përfito çadrën e shezlongun pa pagesë” është përshëndetur publikisht nga ministri Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi këtë model si një shembull pozitiv të mënyrës sesi shërbimi ndaj turistit duhet të vihet në plan të parë.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se prioritet mbetet zhvillimi i një turizmi të përballueshëm, të aksesueshëm për të gjitha kategoritë dhe me raport të drejtë mes çmimit dhe cilësisë së shërbimit.
Sipas tij, këtë vit institucionet kanë rritur sipërfaqet e plazheve publike, kanë investuar në sinjalistikë orientuese dhe tarifa më ekonomike, ndërsa po punohet edhe për një administrim më të mirë të sezonit turistik në bashkëpunim me strukturat vendore.
Ministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion model mikpritjeje, duke promovuar jo vetëm turizmin bregdetar, por edhe kulinarinë, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetet sportive.
Ai shtoi se natyra, pastërtia, qetësia dhe mbrojtja e mjedisit mbeten ndër objektivat kryesore për zhvillimin afatgjatë të turizmit shqiptar.









