Shqipëria ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit ruse në Kiev, pasi një nga goditjet ka prekur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Lajmi është konfirmuar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e cilësoi incidentin si “të papranueshëm” dhe një përshkallëzim të rrezikshëm të agresionit rus.
Në një reagim publik, Hoxha deklaroi se sulmet ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë shkelje serioze dhe tregojnë pasojat dramatike të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Sipas tij, prej më shumë se katër vitesh nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë, Rusia ka vijuar të godasë infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën, përfshirë shkolla, spitale, objekte energjetike dhe zona banimi, por nuk ka arritur të thyejë rezistencën e popullit ukrainas.
Ministri shqiptar bëri të ditur gjithashtu se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë është thirrur zyrtarisht në Ministrinë e Jashtme për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë ditëve të fundit.
Postimi i Ministrit Hoxha në X:
Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!
Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.
Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas.
Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim.
Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.
Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime.









