Një skandal i rëndë është zbuluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, ku gjatë një operacioni kontrolli janë gjetur pije alkoolike, telefona celularë dhe lëndë të dyshuara narkotike brenda ambienteve të burgut.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa si rezultat dy persona janë arrestuar dhe gjashtë punonjës të burgut janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve në një prej dhomave të institucionit u zbulua një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike, ndërsa në ambiente të përbashkëta të burgut u gjetën edhe disa telefona celularë të futur në kundërshtim me rregullat e sigurisë.
Po ashtu, autoritetet konstatuan edhe lëndë të dyshuara narkotike të fshehura në veshjet e një të paraburgosuri, çka ngriti dyshime të forta për aktivitet të paligjshëm brenda institucionit penitenciar.
Në pranga është vënë shtetasi me iniciale I.B., i dyshuar për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”. Ai ndodhej në paraburgim për akuzën “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Gjithashtu u arrestua edhe shtetasi A.M., i cili akuzohet për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe për “Futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEVP”. Sipas autoriteteve, ai po vuante një dënim prej 12 vitesh burg për veprën penale “Vrasje me dashje”.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për gjashtë punonjës të burgut të Fierit, të cilët dyshohen për “Shpërdorim detyre”.
Mes personave nën hetim janë:
- shefi i policisë në burgun e Fierit,
- shefi i regjimit të brendshëm,
- një specialist policie,
- si dhe tre kontrollorë të institucionit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se mungesa e kontrollit dhe neglizhenca në ushtrimin e detyrës kanë bërë të mundur futjen dhe qarkullimin e sendeve të ndaluara brenda burgut.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze për nivelin e sigurisë dhe funksionimin e sistemit penitenciar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse në këtë aktivitet të paligjshëm janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Njoftimi i plotë
“Në vijim të informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të përbashkëta midis Agjencisë së Mbikqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), për goditjen e paligjshmërisë në Sistemin Penitenciar, sot më datë 23.05.2026 u kryen kontrolle në IEVP Fier.
Në përfundim të veprimeve opeacionale, u konstatua nje sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike ne një prej dhomave te kësaj IEVP-je, si edhe disa telefona celularë në mjedise të ndryshme të përbashkëta.
Gjithashtu, nga kontrolli personal i një shtetasi të paraburgosur në këtë IEVP u konstatua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehur ne veshjet personale.
Në përfundim të veprimeve proceduriale në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, OPGJ të AMSEVP kreu:
● Arrestimin në flagrancë të shtetasit I.B pasi dyshohet se ky shtetas ka konsumuar elementët e figurës së veprës penal “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal. Aktualisht, ky shtetas ndodhet i paraburgosur në këtë IEVP për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake “ parashikuar nga neni 278/4 dhe 189 i Kodit Penal.
● Arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M. pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Futja dhe mbajta e sendeve të ndaluara në IEVP,” parashikuar nga neni 283 dhe 324/a i K. Penal. Aktualisht ky shtetas është i dënuar me 12 vjet burgim për veprën penale të ” Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.










