Britania e Madhe po sinjalizon një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet me Bashkimi Europian, duke propozuar krijimin e një tregu të përbashkët për tregtinë e mallrave mes dy palëve.
Sipas raportimeve të mediave britanike, zyrtarët në Londër po shqyrtojnë mundësinë e një marrëveshjeje të re ekonomike me BE-në, si pjesë e fazës së re të negociatave pas Brexit-it. Ky propozim konsiderohet një hap i madh drejt afrimit ekonomik me Brukselin, pas viteve të tensioneve dhe ndarjes nga unioni europian.
Kryeministri Keir Starmer dhe kancelarja e Thesarit Rachel Reeves kanë mbështetur publikisht idenë e një bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik me BE-në, duke argumentuar se ekonomia britanike ka nevojë për më shumë stabilitet dhe lehtësi tregtare.
Burime pranë qeverisë britanike bëjnë me dije se bizneset në Britani janë informuar për diskutimet, ndërsa disa shtete europiane po e shohin me interes mundësinë e një riintegrimi ekonomik gradual të Londrës me tregun europian.
Megjithatë, negociatat pritet të jenë të vështira, pasi Komisioni Europian ka shprehur rezerva për një marrëveshje kaq të gjerë pa lëvizje nga Britania në çështje të ndjeshme si liria e lëvizjes dhe rregullat e përbashkëta të tregut.
Diskutimet pritet të intensifikohen në samitin e ardhshëm mes Britanisë dhe BE-së, ku mund të hidhen bazat për një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes dy palëve pas Brexit-it.









