Real Madrid gjen pasardhësin e Carvajal? Tre emra në listën e “Los Blancos”

Real Madrid ka nisur të planifikojë të ardhmen pa kapitenin Dani Carvajal, ndërsa drejtuesit e klubit madrilen po shqyrtojnë tri alternativa për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Sipas mediave spanjolle, një nga emrat më të përfolur është Diogo Dalot i Manchester United. Raportimet bëjnë të ditur se trajneri i ardhshëm i madrilenëve, Jose Mourinho, është një admirues i madh i bashkëkombësit të tij portugez dhe dëshiron ta transferojë në “Santiago Bernabeu”.

Dalot dhe Mourinho kanë bashkëpunuar më parë te Manchester United, kur mbrojtësi u transferua nga Porto në vitin 2018 për 22 milionë euro. 27-vjeçari, i cili mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes, ka kontratë me klubin anglez deri në vitin 2028 dhe sezonin e kaluar regjistroi 36 paraqitje, një gol dhe tri asistime.

Alternativa e dytë për “Los Blancos” është Pedro Porro i Tottenhamit. Megjithatë, mbrojtësi spanjoll konsiderohet një operacion i kushtueshëm, pasi londinezët investuan 40 milionë euro për ta transferuar nga Sporting Lisbona në vitin 2023.

Ndërkohë, opsioni më ekonomik për presidentin Florentino Perez mbetet akademia e klubit. Talenti 19-vjeçar Jesus Fortea dhe David Jimenez shihen si projekte premtuese për të ardhmen dhe mund të marrin më shumë hapësira në ekipin e parë.

Në planet afatgjata të Real Madridit përmendet edhe Trent Alexander-Arnold, i cili konsiderohet si zgjedhja ideale për krahun e djathtë të mbrojtjes në epokën pas Carvajal.