Milani ka hyrë fuqishëm në garë për transferimin e sulmuesit portugez Gonçalo Ramos, teksa drejtuesit e klubit po punojnë për ta përforcuar repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, “Rossonerët” e kanë identifikuar yllin e Paris Saint-Germainit si objektivin kryesor për sulmin dhe pritet të bëjnë lëvizje konkrete në javët e ardhshme.
Megjithatë, klubi italian nuk do ta ketë të lehtë sigurimin e kartonit të Ramosit, pasi në garë janë futur edhe Juventus, Newcastle United dhe Manchester United, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit portugez.
Milani raportohet se po përgatit një ofertë zyrtare për PSG-në para nisjes së Kupës së Botës 2026, me synimin që të fitojë avantazh ndaj rivalëve në merkato.
24-vjeçari ka regjistruar 44 paraqitje këtë sezon me kampionët francezë, duke realizuar 12 gola dhe një asistim. Nën drejtimin e Luis Enrique, Ramos është aktivizuar shpesh si pjesë e rotacionit, ndërsa burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai është i hapur për një aventurë të re në karrierë.









