PS–PD bashkësistemojnë rregulloren e re të Kuvendit – Dakortësi për ndryshime të forta: SPAK nuk raporton më në seancë plenare

Kuvendi i Shqipërisë ka arritur një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e re të funksionimit të tij, të cilat pritet të votohen në seancën plenare të ditës së sotme.

Dakordësia është arritur mes Partia Socialiste dhe Partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së Komisionit për Rregulloren dhe Konferencën e Kryetarëve.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me raportimin e institucioneve të pavarura në Kuvend. Sipas rregullave të reja, në seancë plenare do të raportojnë vetëm disa institucione kushtetuese, mes tyre Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ndërkohë, institucionet e tjera do të raportojnë vetëm në komisionet parlamentare, ku nuk do të kërkohet domosdoshmërisht prania e drejtuesve të tyre, por edhe e përfaqësuesve të autorizuar.

Një ndryshim që ka tërhequr vëmendje është edhe ai që prek Prokurorinë e Posaçme, ku drejtuesi i SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në komisionet përkatëse parlamentare.

Reforma përfshin gjithashtu ndryshime në mënyrën e propozimit të kandidatëve për institucionet e pavarura, duke kufizuar mbështetjen e deputetëve vetëm për një kandidat, si dhe riorganizimin e komisioneve parlamentare në 11 struktura të reja me fusha të përcaktuara.

Po ashtu, parashikohen masa të reja disiplinore për deputetët, procedura më të shpejtuara për ligjet e integrimit europian dhe ndryshime në funksionimin e organeve të brendshme të Kuvendit, përfshirë barazinë mes mazhorancës dhe opozitës në disa mekanizma vendimmarrës.

Drafti i ri pritet të miratohet në seancën plenare, duke shënuar një nga rastet e rralla të konsensusit të gjerë politik në jetën parlamentare shqiptare.