Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar nisjen e procesit të votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke publikuar edhe udhëzimet zyrtare që duhet të ndjekë diaspora për të realizuar votimin.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, KQZ bëri të ditur se pakot me fletëvotime do të dërgohen në adresat e banimit të votuesve të regjistruar për votim nga jashtë.
Sipas procedurës, pasi qytetari të marrë pakon zgjedhore, duhet të plotësojë fletëvotimin dhe ta vendosë atë fillimisht në zarfin e fshehtësisë. Më pas, zarfi së bashku me dëftesën e regjistrimit duhet të futen në zarfin kthyes.
Institucioni zgjedhor theksoi se votuesit duhet të shënojnë saktë adresën e kutisë postare përkatëse dhe ta dërgojnë zarfin me postë brenda afateve të përcaktuara.
Sipas KQZ-së, çdo zarf me votë duhet të mbërrijë në kutinë postare të vendit përkatës jo më vonë se data 6 qershor 2026, në mënyrë që vota të konsiderohet e vlefshme.









