“Shpreson që SPAK dhe gjykatat të kthehen në rrugën e Zotit” – Meta nga burgu: 140 votat për Reformën në Drejtësi i bëra unë. Fajin e ka Basha!

Ilir Meta, ka lëshuar akuza të forta nga qelia e paraburgimit lidhur me Reformën në Drejtësi, duke deklaruar se ai ishte personi që siguroi konsensusin për miratimin e saj me 140 vota në Kuvend.

Në një intervistë nga burgu, Meta tha se gjatë procesit të reformës është zhvilluar një “lojë e madhe politike” për të shmangur konsensusin dhe për të përçarë opozitën.

Sipas tij, fajin për mënyrën se si u implementua reforma e mban ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të cilin pretendoi se me “lojërat e tij” dhe me ndihmën e ish-zyrtarit amerikan Charles McGonigal, ia dorëzoi reformën kryeministrit Edi Rama.

Meta deklaroi gjithashtu se nuk është befasuar nga arrestimi i tij, duke e cilësuar situatën si “grusht shteti” dhe duke pretenduar se janë miratuar ligje antikushtetuese.

“140 votat i bëri vetëm Ilir Meta”, u shpreh ai, duke shtuar se këtë, sipas tij, e ka pranuar edhe ish-ambasadori amerikan Donald Lu.

Në fund të deklaratës, Meta tha se shpreson që SPAK dhe gjykatat “të kthehen në rrugën e Zotit”.