Moslejimi i garës për kreun e PD – Alesia Balliu i shkruan McAllister dhe Mercep: “PD është marrë peng nga Berisha”

Kandidatja e përjashtuar nga gara për drejtimin e PD, Alesia Balliu, i ka dërguar një email dy figurave të njohura të politikës europiane, David McAllister dhe Tina Mercep, ku ka ngritur shqetësime për situatën e brendshme në opozitën shqiptare.

Në komunikimin e saj, Balliu ka pretenduar se Partia Demokratike ndodhet nën kontrollin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe rrethit të tij politik, duke e cilësuar këtë situatë si një “marrje peng” të forcës politike.

Ajo ka argumentuar se një parti që synon të rikthehet në pushtet dhe të përfaqësojë standardet europiane nuk mund të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në emailin drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë, Balliu ka kërkuar vëmendjen e partnerëve europianë për atë që e konsideron degradim të standardeve demokratike brenda partisë, duke përmendur gjithashtu klimë presioni dhe përjashtimi ndaj zërave kritikë.

Sipas saj, situata aktuale brenda PD-së dëmton funksionimin normal të opozitës dhe krijon pengesa për një garë të hapur dhe demokratike brenda saj.