Tragjedi në Greqi/ Shembet masivi i dheut në kantier – Humb jetën 46-vjeçari shqiptar në Janinë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, pasi një 46-vjeçar me origjinë shqiptare humbi jetën tragjikisht gjatë punës në një kantier ndërtimi në zonën e Shpatit, në Janinë.

Sipas raportimeve të mediave greke, shqiptari, baba i dy fëmijëve, ishte duke punuar në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza, kur papritur një masë e madhe dheu u shemb mbi të gjatë gërmimeve, duke e zënë poshtë.

Në vendin e ngjarjes mbërritën me urgjencë ekipet e shpëtimit dhe ambulanca e shërbimit mjekësor grek EKAB. Mjekët tentuan për disa minuta ta rikthenin në jetë përmes manovrave të reanimimit, por fatkeqësisht 46-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.

Pas aksidentit fatal, policia greke arrestoi përgjegjësin e kantierit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime të plota për të zbardhur shkaqet e tragjedisë dhe për të verifikuar nëse ishin respektuar kushtet e sigurisë teknike në punë.

Në zonë shkoi edhe një ekip i Inspektoratit të Punës në Janinë, i cili po heton përgjegjësitë dhe shkeljet e mundshme që mund të kenë çuar në humbjen tragjike të jetës së punëtorit shqiptar.