Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër ndaj përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke dënuar sulmet e fundit të Iranit ndaj vendeve fqinje dhe duke i bërë thirrje Teheranit të rikthehet menjëherë në tryezën e negociatave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Merz u shpreh se sulmet ndaj objekteve bërthamore përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe për jetën e miliona njerëzve.
“S’mund të ketë një përshkallëzim tjetër të dhunës. Irani duhet të hyjë në negociata serioze me SHBA-në, të ndalojë kërcënimet ndaj fqinjëve të tij dhe të hapë Ngushticën e Hormuzit pa kufizime”, deklaroi kancelari gjerman.
Deklarata e Merz vjen në një moment tensionesh të forta në rajon, pas raportimeve për një zjarr pranë centralit bërthamor Barakah në Emiratet e Bashkuara Arabe, i shkaktuar nga një sulm me dron gjatë fundjavës.
Autoritetet emiratas konfirmuan se nuk pati rrjedhje rrezatimi dhe as persona të lënduar, ndërsa situata u vu nën kontroll brenda pak orësh.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike për tregtinë globale të naftës dhe çdo tension në këtë zonë shihet me shqetësim nga fuqitë perëndimore dhe tregjet ndërkombëtare.









