Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një valë të re protestash të opozitës, duke deklaruar se fillimi i muajit qershor do të shënojë atë që ai e quajti “kryengritja më e fuqishme që ka njohur Shqipëria”.
Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga aksioni politik dhe protestat kundër qeverisë, ndërsa shtoi se organizimi i strukturave të partisë dhe proceset e brendshme do të jenë prioritet në ditët në vijim.
Sipas tij, Partia Demokratike është aktualisht e angazhuar në organizimin e referendumit për votëbesimin e kryetarit, si edhe në përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, procese që, sipas Berishës, kërkojnë angazhim maksimal nga strukturat e partisë.
Megjithatë, lideri demokrat paralajmëroi se pas përfundimit të këtyre proceseve, opozita do të rikthehet fuqishëm në terren me protesta të mëdha qytetare.
“Në mënyrë shumë më të fuqishme do të vijojmë me protestat. Kemi referendumin për votëbesimin e kryetarit dhe Kuvendin Kombëtar, të cilat kërkojnë punë dhe organizim. Por në ditët e para të qershorit do të nisë kryengritja më e fuqishme që ka njohur Shqipëria”, deklaroi Berisha.
Deklarata e kreut të PD-së vjen në një moment tensionesh të forta politike, ndërsa opozita vijon akuzat ndaj qeverisë për manipulim të procesit zgjedhor dhe kapje të institucioneve.









