Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka ankimuar zyrtarisht vendimin për përjashtimin e tij nga gara për kreun e Partisë Demokratike, duke e cilësuar procesin të paligjshëm dhe në kundërshtim me statutin e partisë.
Në kërkesën drejtuar strukturave drejtuese të PD-së, Salianji pretendon se nuk është njoftuar asnjëherë zyrtarisht për ndonjë masë disiplinore ndaj tij dhe se kandidatura e tij është penguar në mënyrë të qëllimshme. Ai thekson se përfaqësuesit e tij nuk janë lejuar të dorëzojnë dokumentacionin në selinë blu, çka i detyroi ta dërgonin atë me postë dhe përmes emailit.
Salianji kundërshton edhe deklaratat e sekretarit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, i cili kishte deklaruar se ish-deputeti nuk plotëson kriteret për kandidim, pasi nuk konsiderohet më anëtar i partisë për shkak të pretendimeve për lidhje të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar.
Ish-deputeti i mohon kategorikisht këto akuza dhe kërkon që çdo pretendim ndaj tij të bëhet publik dhe të mbështetet me prova konkrete. Sipas tij, nuk ekziston asnjë vendim i zbardhur apo procedurë zyrtare që justifikon përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.
Në ankimimin e depozituar, Salianji ngre gjithashtu pretendime edhe për procesin zgjedhor brenda PD-së, duke argumentuar se kandidimi i Sali Berishës bie ndesh me statutin e partisë. Ai pretendon se mandati i kryetarit ka përfunduar pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe se rikandidimi nuk lejohet sipas rregullave statutore.
Në përfundim, Salianji kërkon shpalljen të pavlefshme të çdo vendimi për përjashtimin e tij, anulimin e vendimit të KOKOE-së dhe verifikimin e ligjshmërisë së të gjitha vendimeve të marra nga kryesia e Partisë Demokratike.









