Trump paralajmëron Iranin: “Do të kaloni kohë shumë të vështira nëse nuk ka marrëveshje”

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar sërish Iranin, duke deklaruar se Teherani do të përballet me “kohë shumë të vështira” nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit dhe tensioneve në rajon.

Në një intervistë për median franceze BFMTV, Trump la të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të situatës, ndërsa theksoi se Irani ka interes të negociojë.

“Nuk kam asnjë ide nëse do ta bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, do të kenë një kohë shumë të vështirë. Ata kanë interes të arrijnë një marrëveshje”, deklaroi presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur mediat amerikane raportojnë për lëvizje të reja ushtarake dhe diplomatike në lidhje me Iranin. Sipas The New York Times, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po zhvillojnë “përgatitje intensive” në rast të rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.