KiE i jep dritën jeshile modelit Shqipëri–Itali për emigrantët – Meloni: “Një rrugë e guximshme”

Në Kisinau të Moldavisë, 46 shtete anëtare të Këshillit të Europës kanë miratuar një qëndrim mbështetës për modelin e menaxhimit të flukseve migratore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke i dhënë dritën jeshile një prej marrëveshjeve më të debatuara në Evropë vitet e fundit.

Ky model lidhet me protokollin e bashkëpunimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave të pritjes së emigrantëve në territorin shqiptar, përfshirë kampet në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat synojnë trajtimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes Italisë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka cilësuar vendimin si një konfirmim të një “rruge të guximshme”, duke theksuar se modeli tashmë po shihet si një parim i përbashkët evropian për menaxhimin e migracionit.

Sipas saj, mbështetje për këtë qasje ka ardhur edhe nga disa vende të tjera evropiane, përfshirë Danimarkën, e cila ka shprehur qëndrime pro forcimit të politikave të jashtme të azilit dhe kontrollit të kufijve.

Marrëveshja Shqipëri–Itali, e nënshkruar në vitin 2023, parashikon një bashkëpunim pesëvjeçar për menaxhimin e emigracionit, ndërsa Tirana ka theksuar se protokolli vlen ekskluzivisht për Italinë dhe nuk do të aplikohet për vende të tjera. Sipas autoriteteve shqiptare, qëllimi është një mekanizëm i përkohshëm dhe i kufizuar, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe ligjin evropian.