Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë kthimit të këtij të fundit nga Kina, ku në fokus kanë qenë disa prej zhvillimeve më të rëndësishme gjeopolitike globale.
Sipas Merz, biseda është përqendruar te situata në Lindjen e Mesme, programi bërthamor i Iranit, lufta në Ukrainë, si dhe koordinimi mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara përpara samitit të NATO-s që pritet të mbahet në Ankara.
Në një postim në rrjetet sociale, kancelari gjerman theksoi se palët ndajnë qëndrime të përbashkëta për disa çështje kyçe ndërkombëtare, përfshirë nevojën që Irani të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të mos zhvillojë armë bërthamore, si dhe rëndësinë e një zgjidhjeje diplomatike për luftën në Ukrainë.
Në deklaratat e tij, Merz ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, duke e konsideruar stabilitetin në këtë zonë thelbësor për tregjet globale të energjisë.
Biseda mes dy liderëve vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, ndërsa përgatitjet për samitin e NATO-s në Ankara po intensifikohen dhe aleatët kërkojnë të harmonizojnë qëndrimet për sfidat kryesore të sigurisë globale.









