Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kalimin e tre tankerëve kinezë që transportonin naftë iraniane nëpër Ngushtica e Hormuzit, në një moment tensionesh të larta në rajon.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se anijet kineze arritën të kalonin në korridorin strategjik detar “sepse ne e lejuam”, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi situatën në zonë.
Sipas presidentit amerikan, tankerët kishin kaluar përpara vizitës së tij zyrtare në Kinë dhe takimit me presidentin Xi Jinping. Megjithatë, ai shmangu komentet mbi mundësinë e një marrëveshjeje të heshtur mes Uashingtonit dhe Pekinit për çështjen e naftës iraniane.
Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të mbetet e tensionuar. Irani ka vendosur kufizime për lundrimin tregtar dhe po kërkon tarifa për anijet që kalojnë në këtë rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar masat bllokuese ndaj porteve iraniane, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri të krizës në rajon.
Sipas mediave shtetërore iraniane, rreth 30 anije, mes tyre edhe të paktën një tanker kinez, kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit që nga mbrëmja e së mërkurës. Teherani pretendon se kalimet janë kryer “me lejen e Iranit”, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur për këto deklarata.









