SPAK thërret sërish Igli Taren – Hetimet në kuadër të dosjes “Balluku”…

SPAK ka lëshuar një fletëthirrje të dytë për ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Igli Tare, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas burimeve pranë SPAK, dëshmia e Tares konsiderohet me rëndësi për hetimin, veçanërisht në lidhje me verifikimet mbi pasurinë e Ballukut.

Nevoja për marrjen në pyetje të ish-futbollistit erdhi pas kontrolleve të ushtruara ndaj familjarëve të Ballukut dhe disa biznesmenëve, si edhe kontrolleve në dy vila në një zonë rezidenciale në Drimadhë.

Më herët, SPAK kishte firmosur një fletëthirrje të parë për Taren, por ajo nuk u ekzekutua pasi ai jeton jashtë vendit dhe nuk kishte marrë dijeni për njoftimin. Në thirrjen e dytë, hetuesit kanë marrë masa shtesë për të siguruar njoftimin zyrtar të tij.

SPAK po heton Belinda Ballukun për dyshime mbi shkelje të barazisë në tenderë publikë, hetime që lidhen me disa projekte infrastrukturore, mes tyre tuneli i Llogarasë, Unaza e Tiranës dhe segmente të tjera rrugore.