Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Tajvanin që të mos ndërmarrë hapa drejt shpalljes së pavarësisë, duke theksuar se prioritet i tij është shmangia e konfliktit me Kinën, pas samitit të zhvilluar në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping.
“Nuk dua që dikush të shpallet i pavarur”, u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni po mban një qasje më të kujdesshme ndaj çështjes së ishullit vetëqeverisës.
Sipas deklaratave të tij, politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar zyrtarisht, por ai theksoi se nuk dëshiron përshkallëzim të tensioneve me Pekinin.
“Nuk dua luftë. Dua që gjërat të qetësohen dhe Kina të qetësohet”, tha Trump në një intervistë për Fox News gjatë kthimit në Uashington.
Gjatë samitit me Xi Jinping, çështja e Tajvanit është diskutuar gjerësisht, ndërsa Trump shmangu të japë një përgjigje të prerë për angazhimin ushtarak të SHBA-së në rast konflikti.
Nga ana e saj, Kina vijon ta konsiderojë Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe ka paralajmëruar se çdo lëvizje drejt pavarësisë mund të çojë në përplasje të drejtpërdrejta mes dy fuqive.
Në të njëjtën kohë, tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake pranë ishullit dhe Uashingtoni ka diskutuar më herët paketa të reja armatimi për Tajvanin.









