Operacioni AMP në Sarandë/ Arrestohen drejtues të policisë – Dyshime për ndërtimet pa leje në bregdet

Një operacion i gjerë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka çuar në arrestimin e disa drejtuesve dhe efektivëve të Policisë në qytetin e Sarandës, në një hetim që lidhet me dyshime për tolerim ose përfshirje në ndërtime pa leje në vijën bregdetare.

Në pranga ka rënë shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, së bashku me dy specialistë të tjerë të policisë lokale, ndërsa burime hetimore bëjnë me dije se operacioni mund të zgjerohet edhe me arrestime të tjera.

Operacioni është shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, ku hetuesit po verifikojnë rastet e fundit të ndërtimeve të paligjshme në zonën turistike të jugut dhe rolin e mundshëm të strukturave policore në mosveprimin ndaj tyre.

Sipas të dhënave paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po heton gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar rastet e shkeljeve në territor, duke ngritur dyshime për abuzim detyre dhe moszbatim të ligjit nga disa punonjës policie.

Një ditë para operacionit, Policia e Shtetit kishte arrestuar 8 persona të dyshuar për ndërtim pa leje pranë bregdetit, ndërsa pronarja e truallit ku po kryheshin punimet është shpallur në kërkim.

Mes emrave që përmenden në dosjen hetimore figuron edhe shefi i krimeve të Sarandës, Blerim Tafciu, i cili aktualisht rezulton në kërkim nga autoritetet.