“Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë kryesore” – Diplomati amerikan për Shqipërinë: BE-ja shpresa më e madhe për vendin

Diplomati amerikan David J. Kostelancik, i propozuar më herët nga administrata e presidentit Joe Biden për postin e ambasadorit në Shqipëri, por i pa miratuar nga Kongresi, i ka kushtuar një analizë të gjatë situatës politike dhe institucionale në vend.

Në shkrimin e tij, Kostelancik thekson se korrupsioni mbetet një nga problemet më të thella me të cilat përballet Shqipëria, pavarësisht progresit të bërë në disa fusha gjatë viteve të fundit.

Ai vlerëson punën e institucioneve të drejtësisë, por thekson se ende ka shumë për t’u bërë, veçanërisht në forcimin e luftës kundër korrupsionit nga struktura të specializuara si SPAK.

Sipas diplomatit, dështimi i klasës politike shqiptare për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin e përhapur e bën Bashkimin Europian shpresën më të madhe për vendin.

Ai shton gjithashtu se prioritet strategjik i Shqipërisë duhet të mbetet integrimi në Bashkimin Europian dhe se vetë BE-ja duhet të ndjekë një qasje më të strukturuar dhe të posaçme për përshpejtimin e këtij procesi.