Bie rezoluta e demokratëve – Senati amerikan refuzon tërheqjen e trupave nga Irani

Senati i Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar me diferencë minimale një rezolutë të propozuar nga demokratët, e cila synonte të detyronte administratën amerikane të tërhiqte trupat e përfshira në konfliktin me Iranin.

Rezoluta u hodh poshtë me 50 vota kundër dhe 49 pro, pasi shumica republikane refuzoi të kufizojë kompetencat ushtarake të presidentit Donald Trump. Megjithatë, tre senatorë republikanë iu bashkuan demokratëve duke votuar në favor të tërheqjes së forcave amerikane.

Për herë të parë që nga nisja e përplasjes me Iranin, senatorja republikane Lisa Murkowski votoi pro rezolutës. Pas votimit, ajo deklaroi se administrata nuk kishte ofruar informacion të mjaftueshëm mbi situatën reale në terren dhe zhvillimet ushtarake në rajon.

Debati në Senat është përqendruar te kompetencat kushtetuese për shpalljen e luftës. Sipas Kushtetutës amerikane, vetëm Kongresi ka autoritetin për të shpallur luftë, ndërsa demokratët po përpiqen të riafirmojnë rolin e legjislativit përballë pushtetit të presidentit në çështjet ushtarake.

Ligji amerikan i lejon presidentit të ndërmarrë veprime ushtarake në rast kërcënimi të menjëhershëm, por kërkon që brenda 60 ditëve të sigurohet miratimi i Kongresit. Demokratët argumentojnë se ky afat është tejkaluar, ndërsa Trump këmbëngul se konflikti konsiderohet i përfunduar për shkak të armëpushimit me Iranin.

Megjithatë, kundërshtarët e administratës theksojnë se prania e forcave amerikane në rajon vazhdon dhe rreziku i përshkallëzimit mbetet i lartë.

Një nga autorët e rezolutës, senatori demokrat Jeff Merkley, deklaroi se shumë republikanë ndihen të pakëndshëm me situatën aktuale, por shmangin përplasjen direkte me Trumpin.

Ndërkohë, senatori demokrat Tim Kaine paralajmëroi se demokratët do të vazhdojnë të paraqesin rezoluta të ngjashme çdo javë, derisa Senati të shprehet qartë kundër përfshirjes së SHBA-së në luftë.