Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë dhe opinionin publik, pasi dy vajza 17-vjeçare u hodhën nga tarraca e një pallati gjashtëkatësh në zonën e Ilioupolit, në Athinë. Njëra prej tyre humbi jetën në vendngjarje, ndërsa shoqja e saj ndodhet në gjendje kritike në spital, ku po lufton për jetën.
Sipas mediave greke dhe burimeve policore, dy adoleshentet kishin konsumuar alkool para ngjarjes dhe dyshohet se kishin planifikuar së bashku aktin tragjik. Ato janë ngjitur në tarracën e pallatit, kanë mbyllur derën dhe, ndërsa dëgjonin muzikë me kufje, janë hedhur nga lartësia të kapura për dore.
Hetuesit kanë gjetur letra dhe shënime prekëse të lëna nga vajzat. Në çantën e njërës prej tyre, e cila banonte në pallatin ku ndodhi tragjedia, u zbulua një letër ku ajo shkruante se vuante nga depresioni dhe se nuk donte të zhgënjente prindërit për shkak të rezultateve në provimet e maturës.
“Nuk dua të jetoj në këtë botë”, shkruante mes të tjerash adoleshentja, duke theksuar se prindërit e saj nuk kishin asnjë faj.
Policia ka sekuestruar edhe një ditar në banesën e vajzës tjetër, ku ajo përshkruante të njëjtat shqetësime emocionale dhe frikën për të mos përmbushur pritshmëritë e familjes.
Sipas dëshmive të fqinjëve, pak minuta para ngjarjes, dy vajzat kishin kërkuar çelësat e tarracës nga administratoria e pallatit, pa ngjallur dyshime për atë që do të ndodhte më pas.
Një biznesmen që ndodhej pranë vendit të ngjarjes tregoi se dëgjoi fillimisht britma dhe më pas një zhurmë të fortë. Ai telefonoi menjëherë ambulancën dhe policinë, ndërsa përpiqej të ndihmonte vajzën që ende kishte shenja jete.
17-vjeçarja e mbijetuar po trajtohet në gjendje shumë të rëndë në spitalin KAT të Athinës dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur mbarë vendin.













