BE pezullon importet e mishit nga Brazili duke nisur nga shtatori – Shkak përdorimi i antimikrobikëve për stimulimin e rritjes së kafshëve.

Bashkimi Europian ka vendosur të ndalojë importet e mishit dhe produkteve të tjera shtazore nga Brazili, duke filluar nga 3 shtatori 2026, për shkak të përdorimit të antimikrobikëve për stimulimin e rritjes së kafshëve.

Vendimi u mor të martën nga një komitet ekspertësh të shteteve anëtare të BE-së, i cili votoi unanimisht për ta hequr Brazilin nga lista e vendeve që përmbushin standardet europiane të sigurisë ushqimore.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi marrëveshja tregtare BE-Mercosur hyri përkohësisht në fuqi më 1 maj, duke liberalizuar tregtinë mes BE-së dhe vendeve të Amerikës Latine si Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai.

Fermerët europianë kanë kundërshtuar prej kohësh këtë marrëveshje, duke paralajmëruar se standardet më të ulëta të prodhimit në Amerikën Latine krijojnë konkurrencë të padrejtë për produktet europiane.

Sipas Komisionit Europian, nga shtatori Brazili nuk do të mund të eksportojë drejt BE-së produkte si mish viçi, shpendë, vezë, produkte akuakulture, mjaltë dhe nënprodukte të tjera shtazore.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Eva Hrncirova, deklaroi se marrëveshjet tregtare nuk ndryshojnë rregullat sanitare të BE-së dhe se çdo eksportues duhet të respektojë standardet europiane.

Brukseli ka theksuar gjithashtu se Brazili mund të rifitojë aksesin në tregun europian nëse arrin të dëshmojë përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore të BE-së,