Skandal në Kaliforni/ Dorëhiqet kryebashkiakja e Arcadias – Akuzohet si “agjente e Kinës”

Kryebashkiakja e qytetit Arcadia në Kaliforninë Jugore, Eileen Wang, ka dhënë dorëheqjen pasi u akuzua nga autoritetet federale amerikane se ka vepruar si agjente e paligjshme e qeverisë kineze në Shtetet e Bashkuara.

58-vjeçarja u përball në muajin prill me akuza federale për aktivitet në favor të Pekinit, pa e deklaruar këtë pranë autoriteteve amerikane, siç kërkohet nga ligji. Sipas mediave amerikane, Wang dyshohet se ka zbatuar udhëzime të zyrtarëve kinezë, duke shpërndarë materiale dhe artikuj me përmbajtje propagandistike pro Kinës.

Eileen Wang ishte zgjedhur në këshillin bashkiak në nëntor të vitit 2022, ndërsa posti i kryebashkiakut në Arcadia përcaktohet me rotacion mes anëtarëve të këshillit.

Menaxheri i qytetit, Dominic Lazzaretto, reagoi përmes një deklarate, ku theksoi se çështja lidhet vetëm me sjelljen individuale të Wang dhe nuk përfshin fondet apo administratën e bashkisë.

“Duam të jemi të qartë: ky hetim lidhet me veprime individuale dhe akuzat kanë të bëjnë me sjellje që kanë pushuar pasi zonja Wang mori detyrën në dhjetor 2022”, deklaroi ai.

Sipas autoriteteve federale, Wang ka pranuar të deklarohet fajtore për akuzën, e cila parashikon deri në 10 vite burg federal. Avokatët e saj, Jason Liang dhe Brian Sun, thanë se ajo pranon përgjegjësinë për “gabimet personale të së kaluarës”.

Hetimet zbuluan se Wang dhe bashkëpunëtori i saj Yaoning “Mike” Sun kanë vepruar në interes të Republikës Popullore të Kinës gjatë periudhës 2020–2022, duke promovuar propagandë pro Pekinit në territorin amerikan.

Ndërkohë, Sun është dënuar me katër vite burg pasi pranoi fajësinë për të njëjtën akuzë në tetor të vitit të kaluar. Ai rezultonte gjithashtu si arkëtar i fushatës elektorale të Wang gjatë zgjedhjeve të vitit 2022.