Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mesditën e kësaj të marte në aksin e vjetër rrugor Vlorë–Fier, pranë fshatit Oshtimë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Ford” me targa AA 668 LB, i drejtuar nga 34-vjeçari Albano Hoxha, ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes, duke dalë nga rruga dhe u përplasur me barrierat mbrojtëse anësore.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa drejtuesi i mjetit është transportuar me urgjencë drejt spitalit në gjendje kritike për jetën. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 34-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda të marra në aksident.
Nga goditja, automjeti ka pësuar dëme të shumta materiale, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit tragjik.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se mjeti është përplasur fillimisht me barrierën mbrojtëse në anë të rrugës, çka dyshohet se ka shkaktuar dëmtimet fatale për drejtuesin e automjetit.









