Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton seriozisht mundësinë e nisjes së operacioneve të reja ushtarake kundër Iran, mes tensioneve në rritje për programin bërthamor dhe sigurinë në Gjirin Persik.
Sipas CNN, Trump është shfaqur gjithnjë e më i irrituar me qëndrimin e Teheranit në negociata, ndërsa administrata amerikane po humbet besimin te mundësia e një marrëveshjeje të shpejtë.
Burime pranë bisedimeve bëjnë me dije se presidenti amerikan ka reaguar ashpër edhe ndaj vazhdimit të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Sipas raportimit, Uashingtoni është i shqetësuar edhe për përçarjet brenda udhëheqjes iraniane, të cilat po vështirësojnë arritjen e lëshimeve konkrete nga Teherani në negociatat për çështjen bërthamore.
Administrata amerikane po monitoron nga afër situatën në rajon, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri ushtarak në Lindjen e Mesme.









