Festa e Barcelonës për fitimin e titullit kampion në Spanjë solli emocione të shumta dhe momente festive, por një veprim i Lamine Yamal mori vëmendje të veçantë në rrjetet sociale.
Gjatë paradës tradicionale me autobus të hapur në rrugët e Barcelonës, mes mijëra tifozëve që festonin suksesin e skuadrës, nga turma u hodh një flamur i Palestinës drejt lojtarëve.
Në pamjet që qarkulluan më pas, shihet Yamal duke e marrë flamurin pa hezitim dhe duke e valëvitur në pjesën e përparme të autobusit përballë tifozëve. Veprimi i talentit të ri katalanas u prit me entuziazëm nga të pranishmit dhe u komentua gjerësisht online.
Parada e kampionëve u zhvillua në një atmosferë elektrizuese, me muzikë, këngë dhe festë të pandalshme në rrugët e qytetit. Futbollistët e Barcelonës shijuan suksesin e një sezoni të gjatë dhe të suksesshëm së bashku me tifozët e tyre.
Në një lidhje direkte për televizionin katalanas TV3, Frenkie de Jong u shfaq i buzëqeshur teksa komentoi atmosferën festive dhe mbështetjen masive që skuadra mori nga tifozët gjatë gjithë festimeve.









