Çmimet globale të naftës kanë shënuar një rritje të fortë këtë të hënë, mes frikës për një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme pas deklaratave të ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit.
Tregjet energjetike reaguan menjëherë pasi Trump e cilësoi “të papranueshme” përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit amerikan për armëpushim dhe negociata, duke shtuar pasiguritë për furnizimin global me energji.
Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 4.16 dollarë për fuçi, ose mbi 4%, duke arritur në 105.45 dollarë për fuçi në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u ngjit në 99.80 dollarë për fuçi, me një rritje prej 4.59%.
Rritja e menjëhershme e çmimeve vjen në një moment kur tregjet po ndjekin me shqetësim zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, korridori strategjik detar nga ku kalon një pjesë e madhe e furnizimit botëror me naftë.
Vetëm pak ditë më parë, tregjet kishin reflektuar optimizëm për një ulje të tensioneve dhe rikthim gradual të normalitetit në rajon, çka solli edhe rënie të çmimeve me rreth 6% gjatë javës së kaluar. Por deklaratat e fundit nga Uashingtoni kanë ndryshuar sërish panoramën.
Analistët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i ri mes SHBA-së dhe Iranit mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin global me energji dhe në çmimet e karburanteve në të gjithë botën.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i kompanisë saudite “Saudi Aramco”, Amin Nasser, deklaroi se tregu global ka humbur rreth 1 miliard fuçi naftë gjatë dy muajve të fundit si pasojë e luftës dhe tensioneve në rajon.
Sipas tij, edhe në rast të rifillimit të plotë të furnizimit, tregjeve do t’u duhet kohë për t’u stabilizuar dhe për të rikuperuar humbjet e shkaktuara nga kriza.









