Tragjedi në Lushnje/ Përmbyset zetori në mes të rrugës – Humb jetën 71-vjeçari

Një aksident tragjik është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në fshatin Dushk të Lushnjës, ku një 71-vjeçar ka humbur jetën pas përmbysjes së një mjeti bujqësor.

Viktima është identifikuar si Hekuran Xhelo, banues në zonë. Sipas informacioneve paraprake, ai po udhëtonte me zetor drejt tokave bujqësore së bashku me një person tjetër, kur mjeti është përmbysur në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Për pasojë, 71-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, ndërsa personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital. Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Banorët e zonës shprehen të tronditur nga aksidenti fatal, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse përmbysja e zetorit ka ardhur si pasojë e terrenit, një defekti teknik apo humbjes së kontrollit nga drejtuesi i mjetit.