Dhunohet barbarisht ish-zyrtari i PD – Sokol Tomës i thyejnë këmbët dhe i presin veshin

Detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në autostradën Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit, ku u dhunua brutalisht ish-kryetari i Partisë Demokratike për njësinë administrative të Dajçit në Lezhë, Sokol Toma.

Sipas informacioneve paraprake, persona ende të paidentifikuar i kanë prerë rrugën 53-vjeçarit dhe më pas e kanë sulmuar me sende të forta brenda automjetit të tij, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup.

Raportohet se nga dhuna e ushtruar, Tomës i janë thyer të dyja këmbët dhe i është prerë një pjesë e veshit, ndërsa autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar gjatë sulmit.

Pas agresionit brutal, autorët i kanë marrë edhe telefonin celular dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas ish-zyrtarin demokrat në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike.

Sokol Toma është gjetur nga kalimtarë të rastit brenda makinës, në gjendje shoku, dhe më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitali i Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Burime mjekësore bëjnë me dije se, pavarësisht plagëve të rënda, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia ka ngritur grupe hetimore dhe ka nisur verifikimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa deri tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet.