Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lëshuar deklarata të forta ndaj Iran, duke paralajmëruar se ushtria amerikane do të kishte nevojë për vetëm dy javë për të goditur “çdo objektiv” në territorin iranian.
Në një intervistë për gazetaren e pavarur Sharyl Attkisson, Trump deklaroi se Republika Islamike është “e mundur ushtarakisht” dhe se SHBA-të kanë kapacitetin për të përfunduar operacionet ndaj objektivave iraniane në një kohë shumë të shkurtër.
“Janë të mundur ushtarakisht. Ndoshta në mendjen e tyre nuk e dinë, por unë besoj se e dinë”, u shpreh Trump gjatë intervistës së regjistruar javën e kaluar dhe të transmetuar sot.
Ai pretendoi gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur tashmë rreth 70% të objektivave të planifikuara, ndërsa pjesa e mbetur, sipas tij, përbën vetëm “rregullime të fundit”.
“Kjo nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar. Ne mund të vazhdonim edhe për dy javë të tjera dhe të godisnim çdo objektiv”, deklaroi presidenti amerikan.
Gjatë intervistës, Trump sulmoi edhe NATO-n, të cilën e cilësoi si një “tigër prej letre”, duke akuzuar aleatët e SHBA-së se nuk kanë ofruar mbështetjen e nevojshme në përballjen me Teheranin.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe mes përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit.









