Irani ka vendosur 10 kushte për pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, duke paralajmëruar se kombëtarja iraniane nuk do të marrë pjesë në turne nëse kërkesat e saj nuk pranohen nga vendet organizatore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.
Përmes një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror, Federata Iraniane e Futbollit theksoi se Teherani “nuk do të heqë dorë nga idealet, kultura dhe besimet e tij”.
Mes kushteve të vendosura nga Irani janë pajisja me viza për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik, përfshirë ata me lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, si sulmuesi Mehdi Taremi.
Teherani kërkon gjithashtu masa maksimale sigurie në aeroporte, hotele dhe stadiume, lejimin vetëm të flamurit zyrtar iranian në tribuna, ekzekutimin e himnit kombëtar gjatë ndeshjeve dhe kufizimin e pyetjeve të gazetarëve vetëm në aspektet sportive.
Situata është bërë edhe më e tensionuar pas vendimit të Kanadasë për t’i ndaluar hyrjen presidentit të Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me Gardën Revolucionare.
Kërkesat e Iranit pritet të diskutohen në një takim mes FIFA-s dhe përfaqësuesve iranianë më 20 maj në Zyrih.









