Presidenti rus sulmon NATO-n në Paradën e Fitores – Putin: Lufta në Ukrainë është e drejtë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka përdorur fjalimin tradicional të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq për të mbrojtur luftën në Ukrainë dhe për të sulmuar NATO-n.

Duke folur para ushtarakëve dhe liderëve të huaj të pranishëm në paradën ushtarake, Putin deklaroi se Rusia po zhvillon një “luftë të drejtë”, ndërsa akuzoi Ukrainën se po mbështetet dhe armatoset nga aleanca perëndimore.

“Ata po përballen me një forcë agresive të armatosur dhe të mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s. Dhe pavarësisht kësaj, heronjtë tanë ecin përpara”, u shpreh presidenti rus gjatë fjalimit.

Putin e nisi adresimin duke kujtuar sakrificat e ushtarëve sovjetikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa bëri lidhje direkte mes fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj nazizmit dhe operacionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Bëma e madhe e brezit fitues frymëzon sot ushtarët që po zbatojnë objektivat e operacionit special ushtarak”, deklaroi ai.

Fjalimi i liderit rus vjen në një moment tensionesh të larta mes Moskës dhe Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë vijon të mbetet në qendër të përplasjes gjeopolitike mes Rusisë dhe NATO-s.