Cristiano Ronaldo Jr mund të rikthejë emrin “Ronaldo” në futbollin europian, pasi po tërheq vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha të kontinentit.
16-vjeçari, i cili aktualisht aktivizohet me akademinë e Al Nassr, ka spikatur me paraqitjet e tij në kategoritë zinxhir, duke ngjallur interes të gjerë në tregun europian.
Sipas raportimeve të “The Sun”, në garë për talentin e ri janë disa klube elitare si Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, ndërsa përmenden gjithashtu edhe ekipe ku ka luajtur babai i tij, Cristiano Ronaldo, si Sporting CP, Manchester United, Real Madrid dhe Juventus.
Interes për të kanë shfaqur gjithashtu edhe Inter dhe Atalanta, që po ndjekin nga afër zhvillimin e tij.
Cristiano Ronaldo Jr, i lindur në vitin 2010, konsiderohet një nga talentet premtuese të brezit të tij dhe ka fituar së fundmi edhe një turne botëror për moshat U-17.
Megjithatë, sipas mediave britanike, familja Ronaldo nuk ka marrë ende një vendim për një rikthim në Europë, pasi shqetësimi kryesor mbetet presioni i madh dhe krahasimet me karrierën e babait të tij.









