Harry Kane dhe Bayern panë t’i shuhet ëndrra europiane pas eliminimit në gjysmëfinalen e UEFA Champions League. Sulmuesi anglez pranoi se zhgënjimi është i madh dhe se do t’i duhen disa ditë për të kaluar eliminimin e dhimbshëm.
Edhe pse Kane më në fund ka fituar trofe në Gjermani me Bajernin, objektivi kryesor për të cilin u transferua në Mynih mbetet ende i paarritur. Goli i tij në ndeshjen e kthimit nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin, ndërsa vetë lojtari theksoi se skuadra shpërdoroi shumë raste në momentet vendimtare.
Sipas Kejnit, detajet bënë diferencën mes dy ekipeve, ndërsa ai kritikoi edhe arbitrimin për disa vendime të diskutueshme me penalltitë në dy sfidat.
“Kur përballen dy skuadra kaq të forta, episodet vendosin gjithçka”, u shpreh sulmuesi anglez pas takimit.
Tashmë fokusi i Bajernit kalon te kampionati dhe finalja e Kupës së Gjermanisë, ndërsa Kejn insistoi se sezoni mbetet pozitiv dhe skuadra duhet të vazhdojë të përmirësohet për të tentuar sërish triumfin europian sezonin e ardhshëm.









