Tragjedi në Kinë/ Shkon në 37 numri i viktimave nga shpërthimi në fabrikën e fishekzjarrëve

Bilanci i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në Liuyang është rënduar ndjeshëm, ndërsa autoritetet kineze konfirmojnë se deri tani kanë humbur jetën 37 persona.

Sipas të dhënave zyrtare, një person rezulton ende i zhdukur, ndërsa 51 të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim në spital. Pesë prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.

Shpërthimi ndodhi më 4 maj në provincën Hunan dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, duke prekur edhe ndërtesa që ndodheshin qindra metra larg fabrikës.

Pas tragjedisë, Xi Jinping urdhëroi rritjen e menjëhershme të masave të sigurisë në uzinat industriale në të gjithë vendin, ndërsa kërkoi hetim të plotë për shkaqet e shpërthimit dhe ndëshkim për përgjegjësit.

Autoritetet kineze kanë nisur operacionet intensive të hetimit dhe verifikimit për të zbuluar rrethanat që çuan në një nga aksidentet industriale më të rënda të muajve të fundit në vend.