Pas një seance maratonë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e shumicës socialiste aktin normativ për uljen me 20% të akcizës së karburanteve në rastet kur çmimi i naftës ose benzinës kalon kufirin e përcaktuar.
Akti normativ u votua me 85 vota pro dhe 25 kundër, ndërsa opozita votoi kundër paketës së propozuar nga qeveria.
Gjatë seancës, deputetët e mazhorancës miratuan edhe disa projektligje të tjera që lidhen me shtetësinë, identifikimin elektronik, taksat kombëtare dhe inspektimet në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu, u rrëzuan tre propozime të paraqitura nga deputetët e Partisë Demokratike.
Një nga votimet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte edhe zgjedhja e Genta Tafa në postin e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila mori 83 vota pro dhe 25 kundër.
Në të njëjtën seancë, Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit, ndërsa Alma Faskaj u votua si Komisionere për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe emërimin e Merita Bejtja si Inspektore e Përgjithshme e Banka e Shqipërisë.
Seanca u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për çështjen e karburanteve dhe paketën fiskale të qeverisë.









