Në kampin e Bayern Munich vijon zemërimi pas eliminimit dramatik nga Paris Saint-Germain në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, me bavarezët që pretendojnë se janë dëmtuar nga vendimet e gjyqtarit në një moment kyç të ndeshjes.
Sfida e kthimit në “Allianz Arena” përfundoi me barazim 1-1, rezultat që, së bashku me ndeshjen e parë, i dha kualifikimin skuadrës franceze me shifrat e përgjithshme 6-5. Megjithatë, te Bayern konsiderohet se epilogu i ndeshjes u ndikua drejtpërdrejt nga një vendim i diskutueshëm.
Pika e debatit është një situatë në zonën e PSG-së, ku topi preku dorën e mesfushorit João Neves pas një devijimi nga shoku i skuadrës Vitinha. Gjyqtari portugez João Pinheiro nuk akordoi penallti dhe as nuk ndërhyri VAR-i, çka solli reagim të fortë nga kampi gjerman.
Zyrtarë dhe ish-figura të klubit bavarez e kanë cilësuar vendimin si vendimtar për fatin e kualifikimit, duke argumentuar se bëhej fjalë për një prekje të qartë me dorë në zonë.
Për të forcuar pretendimet e tyre, në mediat sportive është rikthyer një episod i ngjashëm nga kampionati portugez një vit më parë, në ndeshjen mes FC Porto dhe Boavista FC, ku për një rast pothuajse identik gjyqtari akordoi penallti. Sipas kritikëve të Bayern, kjo tregon mospërputhje në interpretimin e rregullave të lojës.
Polemikat u shtuan edhe më shumë pas ndeshjes, ku disa përfaqësues të klubit bavarez kanë lënë të kuptohet se vendimet e arbitrimit ndikuan drejtpërdrejt në eliminimin e tyre nga kompeticioni europian, duke ndezur debat të gjerë në opinionin sportiv.









