Gjykata e Lartë “zbut” masën për ish-drejtoreshën e AKSHIt – Del nga arresti shtëpiak Mirlinda Karçanaj

Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të enjte të ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, duke pranuar pjesërisht rekursin e paraqitur prej saj dhe duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sipas vendimit të ri, masa “arrest në shtëpi” hiqet dhe zëvendësohet me dy masa më të lehta sigurie: “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitjeje”.

Gjykata ka urdhëruar që Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizim të posaçëm gjyqësor, në bazë të nenit 233 të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, ajo është e detyruar të paraqitet pranë organeve të policisë gjyqësore dy herë në muaj, përkatësisht të martën e parë dhe të martën e tretë, në orën 10:00.

Ky vendim vjen si rezultat i shqyrtimit të rekursit të paraqitur nga ish-zyrtarja, e cila kundërshtonte masën më të ashpër të sigurisë të vendosur më herët nga gjykatat e posaçme.

Ndaj Karçanajt vijojnë hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderëve në institucionin që ajo ka drejtuar më parë.