Një tjetër përplasje e fortë ka shpërthyer brenda Partisë Demokratike, ndërsa procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatës.
Gjyqtarja Suela Xhani është përzgjedhur me short për të shqyrtuar padinë e depozituar nga Mereme Sela, e cila kundërshton përjashtimin e saj nga gara për kreun e PD-së dhe kërkon pezullimin e gjithë procesit zgjedhor të 23 majit.
Në padinë e dorëzuar në gjykatë, Sela pretendon se skualifikimi i saj është bërë në mënyrë të padrejtë, pa argumentim ligjor dhe në mungesë të transparencës procedurale. Sipas saj, vendimi për përjashtimin nga gara përbën shkelje të të drejtave statutore dhe cenon parimin e barazisë në konkurrim brenda partisë.
Por padia nuk ndalet vetëm tek rikthimi i saj në garë. Në dokumentin zyrtar, Sela kundërshton edhe kandidimin e Sali Berisha për drejtimin e PD-së, duke argumentuar se ai bie ndesh me statutin e partisë.
Sipas pretendimeve të saj, neni 46 i statutit të PD-së, parashikon që kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë dhe nuk mund të rikandidojë në të njëjtat kushte.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, Mereme Sela kërkon shpalljen e pavlefshme absolute të vendimit për skualifikimin e saj, rikthimin në garë si kandidate për kryetare të PD-së, si dhe shpalljen të pavlefshëm të kandidimit të Berishës.
Po ashtu, ajo kërkon nga gjykata të konstatojë shkelje të rënda të statutit dhe të parimeve të demokracisë së brendshme në parti.
Një nga kërkesat më të forta të padisë lidhet me pezullimin e menjëhershëm të procesit zgjedhor të 23 majit 2026, deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes.
Ky zhvillim pritet të shtojë edhe më shumë tensionet brenda Partisë Demokratike, në një moment kur gara për drejtimin e partisë është shoqëruar me debate të forta dhe akuza për mungesë gare reale.









