Qeveria merr vendim! Përshpejtohen dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit – pagesa më të shpejta dhe më të plota

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime të rëndësishme në vendimin nr. 419, që lidhet me procesin e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist.

Ndryshimi kryesor, i propozuar nga Ministria e Financave, parashikon heqjen e kufizimit për ndarjen e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta. Sipas vendimit të ri, të gjitha dosjet me një vlerë të mbetur deri në 1 milion lekë do të likuidohen menjëherë në këstin pasardhës.

Qeveria parashikon që, falë këtij ndryshimi, brenda një periudhe 4–5 vjeçare të përmbyllet plotësisht pagesa për rreth 6,000 përfitues, nga një total prej 10,360 dosjesh që aktualisht janë në proces.

Një tjetër efekt i rëndësishëm i këtij vendimi është përshpejtimi i ndjeshëm i ritmit të pagesave. Intervali mes kësteve pritet të ulet në rreth 2 deri në 2.5 vite, nga 3.5 deri në 4 vite që është aktualisht.

Gjithashtu, ndryshimet parashikojnë edhe rritje të fondit vjetor për dëmshpërblime, i cili aktualisht arrin në rreth 1.5 miliardë lekë, duke synuar një mbulim më të shpejtë dhe më efikas të detyrimeve financiare.

Sipas autoriteteve, ky vendim nuk është vetëm një ndërhyrje teknike për përmirësimin e procedurave, por edhe një hap i rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së një detyrimi moral ndaj familjeve dhe individëve që kanë vuajtur padrejtësisht gjatë regjimit të kaluar.